rend

REND I m.

  • 1. Radhë, rresht. Rendi i parë (i dytë...). Në të njëjtin rend. Me tre rende e gajtanë. Dal nga rendi.
  • 2. Vendosja e diçkaje sipas një radhe të caktuar, vendi që zënë sendet në një varg në lidhje me njëri-tjetrin. Rendi alfabetik. Rendi kronologjik (kohor). Rendi i fjalëve në fjali. Në rend të kundërt.
  • 3. Rregulli sipas të cilit bëhet diçka, vijueshmëria në një mënyrë të caktuar për të kryer një veprim, radhë. Rendi i ujitjes (i kullotjes). Të gjithë me rend. Rend e pa rend. Pa rend e pa rregull. Ndjek një rend. Pres (lëshoj, kam) rendin. Më vjen rendi. E bënë me rend. Flasin me rend.
  • Rendi i ditës tërësia e çështjeve që shqyrtohen e që rrihen në një mbledhje a në një konferencë sipas një radhe të caktuar. Është (vë, mbetet) në rendin e ditës është (mbetet) në qendër të vëmendjes, qëndron në radhë të parë si diçka që duhet shqyrtuar e zgjidhur, është çështje e ditës. Nuk i del rend dikujt nuk i del koha, nuk ka kohë për të bërë diçka, ka shumë punë, është shumë i zënë me punë.

REND II m.

  • 1. Sistemi i organizimit shoqëror, shtetëror dhe ekonomik; formë e organizimit të shoqërisë në një etapë të caktuar të zhvillimit të saj. Rendi shoqëror (ekonomik, politik, shtetëror). Rendi i vjetër (i ri). Rendi fisnor (gjinor). Rendi feudal. Rendi kapitalist (borgjez). Rendi socialist. Rendi kooperativist. Rend shtypës (shfrytëzues). Vendosja e një rendi. Mbroj (ruaj, forcoj, përmbys) një rend.
  • 2. Tërësia e rregullave të vendosura, që shërbejnë për të ruajtur të pacenuar ndërtimin dhe veprimtarinë e një shoqërie, rregulli shoqëror e qytetar. Rendi publik tërësia e rregullave për të mbajtur dhe për të mbrojtur qetësinë, rregullin dhe moralin në marrëdhëniet shoqërore e qytetare. Forcat e rendit (ruajtësit e rendit) përdoret zakonisht për policinë dhe xhandarmërinë në vendet borgjeze e revizioniste. Mbaj (ruaj) rendin. Vendas (prish) rendin. Shkel rendin publik.
  • 3. Lloj i caktuar sendesh a dukurish me të njëjtat veti ose të një shkalle; klasë, kategori. Sende (shifra) të të njëjtit rend. Njësi të rendit të parë.
  • 4. hist. Shtresë shoqërore në periudhën e feudalizmit, e cila kishte të drejta e detyra të trashëgueshme, që pasqyronin marrëdhëniet klasore dhe luftën e klasave |në këtë periudhë. Rendet e privilegjuara aristokracia dhe kleri. Rendet e shtypura (e ulëta). Rendi i tregtarëve. Ndarja e popullsisë në rende. Zhdukja e rendeve.
  • 5. biol. Njësi e botës bimore e shtazore, e cila përfshin një grup familjesh, që i kanë të përbashkëta tiparet kryesore dhe bën pjesë në një klasë të caktuar. Rend bimësh (kafshësh). Rendi i brejtësve. Rendi i kafshëve grabitqare.
  • 6. vjet. Klasë, vit mësimi (në shkollë). Nxënësit e rendeve të para.

REND III m.

  • Vrap. Eci me rend. Iku (shkoi) me rend. Mori rend. Një rend kali një vrap pele.

REND jokal.

  • 1. Eci me vrap, vrapoj; shkoj me vrap diku, turrem për diku ose për të bërë diçka. Rendi i parë. Rend poshtë e lart. Rendi drejt nesh. Rend nëpër shkallë. Rend shpejt. Rend me vrap (me të katra). Rendi sa i hanin këmbët. Rend ta arrish (ta marrësh)!
  • 2. fig. Kalon shpejt, vrapon; rrjedh. Rendin vitet.
  • 3. fig. keq. Jepem fort pas diçkaje që sjell fitime a përfitime vetjake ose që më intereson a më pëlqen, duke lënë pas dore të tjerat, bredh. Rend pas parasë (pas lekut, pas fitimeve). Rend pas sasisë. Rend pas interesit personal (pas lavdisë, pas qejfeve).
This article is issued from Wiktionary. The text is licensed under Creative Commons - Attribution - Sharealike. Additional terms may apply for the media files.